Klaus Gjasula, nga Bundesliga e dytë në Ligën e … Kampionëve!

Nuk janë harruar ato që bëri sezonin e kaluar. Klaus Gjasula mbahet mend në Bundesligë si luftëtari i Paderbornit, si një nga lojtarët më luftarakë e vrapuesit më të mëdhenj, ndaj një skuadër e elitës po mendon ta afrojë. Ajntrahti i Frankfurtit, ekipi që mban vendin e katërt dhe që është pretendent i rëndësishëm për të qenë në Champions vitin tjetër, njoftohet se po mendon për mesfushorin e kombëtares shqiptare, që sot luan për Hamburgun. Nuk jepen hollësi, por duket se Frankfurti ka nevojë për përvojë dhe për të shtuar alternativat në skuadër pa shpenzuar shumë nga ana financiare.

E vërteta është që Gjasula nuk po kalon në Hamburg sezonin që dëshironte. Ai ka bërë disa gabime, siç ndodhi në ndeshjen e luajtur në fushën e ish-ekipit të tij, Paderbornit, pavarësisht se Hamburgu fitoi 4-3. Këtë vit, mesfushori ka luajtur shumë pak, vetëm 554 minuta, që do të thotë 12 për qind e kohës, ndërsa ka munguar 11 ndeshje radhazi për shkak dëmtimi. Gjithsesi, ai ka besim në vetvete, duke gjykuar se me kalimin e dëmtimeve dhe me fitimin e formës, do të kthehet në nivelin që ishte. Edicionin e kaluar në Bundesligë, shënoi dy gola për Paderbornin, ishte një nga maratonomakët e kampionatit dhe një nga lojtarët më luftarakë. Këto cilësi Frankfurti shpreson që shqiptari 31-vjeçar do t’i ketë përsëri.

Sfidanti.al