A doni më për Zidanin? Legjenda do Championsin e pestë!

Lavdinë e kishte fituar që më parë, por ja që mund ta rrisë më tej. Zinedin Zidan, njeriu që nuk e njeh fjalën “e pamundur” sipas presidentit të Realit, Florentino Perez, synon trofeun e katërt në Champions gjithnjë në stolin madrilen. Pasi fitoi tri herë radhazi në 2016-2018 me Kristiano Ronaldon në ekip, dhe pasi triumfoi si futbollist në vitin 2002 me golin e tij të famshëm, Zizuja dëshiron ta bëjë përsëri.

Kualifikimi për në gjysmëfinale erdhi pas një vuajtjeje të vërtetë në “Anfild” ndaj Liverpulit, por sërish Reali përballoi çdo vështirësi dhe madje doli nga fusha me kokën lart, pa u mundur. Përvoja e madhe, emri dhe fanela bënë të vetën, ashtu si Zidan që tashmë nuk mund të quhet trajner pa përvojë, por po ashtu edhe potenciali i skuadrës. Nëse munguan Ramos, Varan, Karvahal apo Hazar, në fushë ishin Kurtua, Naço, Mendi, Modriç, Kros, Kasemiro apo Benzema. Zidani, pra, ishte shumë më fatlum se kolegu i tij Jurgen Klop.

“Mendoj se ditëm që të vuanim, por kjo ishte normale nëse donim që të kualifikoheshim, – tha Zidani, – besoj se e merituam, por nuk ishte aspak e lehtë. Tani duhet të pushojmë dhe të vazhdojmë përpara. Nuk kemi fituar ende asgjë, por jemi gjallë në të dy kompeticionet, në Spanjë dhe në Europë. Kemi pasur një javë të vështirë me 3 ndeshje, dy me Liverpulin dhe një me Barcelonën”. Madrilenët nuk kanë kohë për të pushuar sepse do të luajnë në La Liga të dielën në fushën e Getafes, do të luajnë edhe dy ndeshje radhazi në kampionat, ndërsa në 27 prill do të kenë përballjen e parë gjysmëfinale në Champions ndaj Çelsit në Madrid.

Sfidanti.al