FC Hollivud ishte nofka që i vunë në vitet 90-të, kur shumë “primadona” donin të thonin fjalën e fundit. Kjo situatë sikur po përsëritet tek Bajerni dhe po ndodh me ikjen e Uli Hënesit, ndërsa Karl-Hajnc Rumenige gjithashtu po dobësohet sepse do të largohet në fund të vitit. Për temën e “luftës civile” në Mynih foli edhe ish-ylli i ekipit Stefan Efenberg. Ish-mesfushori që luajti në 1990-1992 dhe 1998-2002, thotë se e di se kush duhet të ikë, e kush duhet të qendrojë.
“Për mënyrën sesi po punohet tek Bajerni, Flikun e kanë nxjerrë prapa liste, – tha ai, – si mundet që trajneri nuk ka rol në transferimet? Kjo është absurde dhe fatale. Ndershmërisht, nuk më ngjan aspak me Bajernin ku kam qenë unë. Fliku është trajneri më i mirë për Bajernin, askush nuk përshtatet aq mirë me filozofinë e klubit dhe që sjell suksesin. Gjithsesi, drejtuesit duhet të marrin një vendim sepse Flik e Salihamixhiç nuk mund të rrinë bashkë. Duhet marrë një vendim, dhe për mendimin tim duhet të jetë kundër Salihamixhiçit”.
Sfidanti.al