De Rossi shtrohet në spital për shkak të Covid

Daniele De Rossi që nga dita e enjte ndodhet në spitalin Lazzaro Spallanzani të Romës për probleme me frymëmarrjen të shkaktuara nga Coronavirus. Bashkëpunëtori teknik i Kombëtares Italiane të Futbollit rezultoi pozitiv me Covid-19 një javë më parë gjatë grumbullimit të Të Kaltërve, në atë që u shndërrua në një vatër të vërtetë infektimesh.

Pas 7 ditësh izolimi në shtëpi, ish mesfushori i Romës ditën e enjte shfaqi probleme me frymëmarrjen dhe u dërgua në Spallanzini për të qenë nën monitorim dhe për të trajtuar sa më mirë problemin.

De Rossi është një ndër të prekurit e shumtë nga Covid te Kombëtarja Italiane. Në izolim janë 8 futbollistë; Bonucci, Cragno, Florenzi, Verratti, Grifo, Bernardeschi, Sirigu dhe Pessina. Futbollistët e tjerë rezultuan negativë pas një sërë ciklesh të testeve me tamponë të kryera nga klubet për të garantuar sigurinë maksimale  edhe për të gjithë pjesëtarët e skuadrave.

Sfidanti.al