Prag Champions, mungesa madhështore, por sa spektakël në Real-Liverpul!

Erdhi momenti të kthehej, dhe s’kishte si e bënte më mirë. Vështirë të gjendet një duel më klasik në futbollin europian sesa ai Real-Liverpul, dhe pikërisht këto dy skuadra çelin fazën e çerekfinaleve të Championsit me përballjen në Madrid. Anglezët mbërritën në kryeqytetin e Spanjës me aureolën e 6 herë kampionëve të kontinentit për herë të fundit në 2019, dhe u pritën me interesim të madh, ndonëse kundërshtari ka plot 13 trofe të tillë, duke qenë klubi më i madh i botës. Në mungesë të Milanit, ky është maksimumi i Championsit sot për sot, bashkë me Bajernin.

Skuadra e trajnerit Jurgen Klop, pasi kaloi një krizë të vërtetë prej 3 muajsh, duket se ka ardhur në formë pikërisht në momentin e duhur. Fitorja 3-0 në fushën e Arsenalit në Premier Ligë ishte e shkëlqyer, jo vetëm nga rezultati, por sidomos për lojën. Salah e Diogo Zhota janë në formë, ashtu si mesfusha ku është kthyer Fabinjo, ndonëse mbrojtja mbetet gjithnjë shqetësim. Mungesat afatgjatë ekzistojnë si Van Dajk, Gomez e Matip, por edhe kapiteni Henderson.

“Do të jetë një nga sfidat më të vështira, – tha Klopi, – gjithsesi, ne na pëlqejnë këto duele. Ne duam që të luftojmë, kjo është gjëja kryesore. Nuk e di se çfarë mund të arrijmë, por do të luftojmë për të fituar gjithçka që mund të fitohet. Reali është gjithnjë favorit për Championsin, por ne nuk heqim dorë”.

Reali ndërkaq e ka marrë veten në Champions siç e treguan dy fitoret ndaj Atalantës në turin e dytë, dhe po ashtu po fiton radhazi në kampionat duke qenë në pretendime për titull. Trajneri Zinedin Zidan gjithnjë ka besim tek ekipi i tij, por pavarësisht formës së mirë, problemet janë të mëdha. Kapiteni Sergio Ramos mungon i dëmtuar, po ashtu mbrojtësi tjetër Karvahal si dhe mesfushori Valverde. Goditja tjetër e madhe për vendasit është që qendërmbrojtësi i rëndësishëm, Varan, u konfirmua pozitiv me koronavirus, pra as ai nuk mund të luajë.

“Liverpuli është një skuadër e kompletuar në të gjithë drejtimet, – tha Zidani, – nuk ka vetëm 3 sulmuesit, por është e fortë në çdo repart. Jurgen Klop është një trajner i madh dhe ne e dimë se do të jetë e vështirë. Gjithsesi, ne jemi Reali dhe nuk mund të luajmë përveçse për të fituar”.

Dy skuadrat kanë pasur duele të mëdha në të kaluarën. Në 1981, Liverpuli fitoi finalen e Kupës së Kampionëve pas fitores 1-0 ndaj Realit në Paris. Në 2009, anglezët i eleminuan spanjollët në çerekfinale të Championsit pas fitoreve 1-0 në Madrid e 4-0 në “Anfild”. Në 2014, madrilenët triumfuan në fazën e grupeve, në të dyja ndeshjet, me shifrat 3-0 jashtë fushe e 1-0 në shtëpi. Në 2018, Reali fitoi Championsin e 13-të pasi mundi Liverpulin 3-1 në finale.

Sfidanti.al