Trajneri Maurisio Poçetino po rrezikon postin pa u mbushur mirë disa muaj në detyrë, ndërsa yjet e kryeqytetit po “fshikullohen” pa mëshirë. Mediat franceze nuk po kursehen aspak në sulmet dhe akuzat ndaj Paris SG pas humbjes vërtet të rëndë në “Park dë Prensis” ndaj Lilës. Dueli direkt shkoi për rivalin për titull, që ka shanse më të mëdha për të fituar kampionatin dhe e përditshmja prestigjioze “L’Ekip” e quan këtë katastrofë një “Big Beng”, pra si shpërthimi që i dha fillim Gjithësisë (sipas hipotezës në fuqi të shkencëtarëve).
“Poçetino po përpiqet të kopjojë Marselo Bielsën, – ishte komenti i gazetës, – dhe gjithashtu po dështon. Poçetino e ka Bielsën idhull, dhe ishte ky i fundit që e zbuloi dhe e futi në rrugën e trajningut”. “L’Ekip” u tregua i ashpër edhe me Nejmarin që mori karton të kuq në fund. “Sapo gjërat shkojnë keq, Nejmari e humb mendjen fare dhe çmendet, – shkruan e përditshmja, – ai gaboi ndërsa sapo u kthye nga dëmtimi dhe afron ndeshja e Championsit. Një lojtar fantastik, por sjella e tij nuk është sjellje prej lojtari skuadre”. PSG do të vizitojë Bajernin në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve këtë të mërkurë.
Sfidanti.al