Ka rilindur moda e barit të gjatë, pra barit të fushës së paqethur për të ndalur kundërshtarin! Anglia kur ishte në Tiranë, sidomos futbollisti shpërthyes Sterling, u ankua për barin e gjatë, në kufinjtë maskimalë të rregullores në fushën e stadiumit “Air Albania”. Duket, se kjo kjo hile e vjetër po fiton prapë skenën e modës kur kaluan vetëm pak ditë dhe është Partizani që imiton anglezët ndërsa qahet për barin e stadiumit “Loro Boriçi”, që ishte kaq i gjatë sa Asani me shokë ( version shqiptar i Sterlingut) nuk e çonin dot topin drejt rrjetës!
Vite më parë u thonin njerëzve “ je bërë pa qethur”, tani u thonë stadiumeve? Dhe historia e barit me “leshra të gjatë” është e lashtë në futbollin tonë, pasi edhe idhulli i futbollit britanik, irlandezi Xhorxh Best në librin e tij rrëfen një ngjarje në vitin 1967 kur Irlanda e tij luante në Shqipëri për eleminatore: “Kishte një gjatësi të tillë bari i fushës, sa po të hidhje një mace mbi të , as nuk do të dukej fare…”
Shikoni foton që shoqëron shkrimin! Është drejtori i Partizanit, Olsi Rama i kapur në foto me fije bari në dorë, duke gjetur “thembrën e Akilit” të një ndeshje të thatë nga golat dhe të varfër nga emocionet. Ku do ta çojë fijen e barit Olsi Rama apo do t’i mbajë kujtim bashkë me barin e Air Albanias si provë e gjallë që stadiumet tona janë bërë për t’u qethur. Siqofoftë, kur Olsi i gjatë pozoi bashkë me barin e gjatë të stadiumit të Shkodrës, dikush nga tribuna e paska përshëndetur me stilin shkodran: “ Olsi, po atë ditë që humbët me Skënderbeun, a e mate sa i gjatë ishte bari?”
Sfidanti.al