Armenia “na dha biletën” për Euro 2016, por sot synon Botërorin

“Fëmija” nuk është më i vogël, por është rritur. Ekipi kombëtar i Armenisë arriti fitoren e tretë radhazi në grupin eleminator J në Kupën e Botës dhe ka shanset e tij të pretendojë fazën finale, të parën për këtë përfaqësuese. Kush mund ta harrojë se Armeninë e mundëm dy herë në eleminatoret e Euro 2016, 2-1 në “Elbasan Arena” dhe sidomos 3-0 në Jerevan, duke i marrë biletën për në fazën finale në Francë. U tha shumë se atë “biletë”, armenët na e dhanë vetë, ndërsa sot e duan ta kenë në xhep, jo t’ia falin të tjerëve.

Armenia fitoi 3-2 me përmbysje ndaj Rumanisë, falë golave të Spercianit, Harojanit dhe Barsgianit. Më herët kishte fituar 1-0 në fushën e Lihtenshtajnit dhe 2-0 në shtëpi ndaj Islandës. Edhe pse Gjermania është favorite absolute, edhe vendi i dytë të jep shpresë. Më interesant është fakti që armenët nuk kanë ndonjë kombëtare “luksoze”, madje edhe në krahasim me Shqipërinë.

Ja lojtarët e formacionit ndaj Rumanisë: Jurçenko (Alashkert), Hambarxhumian (Anorthosis), Calisir (Apollon Smirnis), Harojan (Astana), Hovhanisian (Pjunik Erevan), Barsegian (Astana), Grigorian (Alashkert), Muradian (Ararat), Bajramian (Rostov), Karapetian (Ararat), Briasko-Balekian (Hurakan). Plot 19 lojtarë luajnë në ligën e Armenisë, katër janë në Kazakistan, një në Bundesligë, dy në Premier Ligën e Rusisë, një në Argjentinë, dy në Greqi, ndërsa ka edhe ndonjë në Letoni, Qipro e Slloveni. Nga ana tjetër, ylli kryesor, Henrik Mkitarian, nuk luan në kombëtare që nga tetori i vitit të kaluar ndaj Estonisë.

Sfidanti.al