Në rajonin spanjoll ku kërkohet pavarësia, pra në Katalonjë, pritja për Kosovën ka qenë vërtet e shkëlqyer. Edhe pse skuadra përfaqësuese e shtetit më të mirë të Europës nuk bujti në Barcelonë, por në Sevilje, sërish mediat katalanase e patën “mike” në faqet e tyre gjithë këto ditë. Në një editorial të sotëm, media “L’Esportiu”, titullon: “Ndeshja që një ditë do ta luajë Katalonja”!
Fjala është për ndeshjen Spanjë-Kosovë, një sfidë që sipas editorialit, Federata Spanjolle e Futbollit deshi ta evitonte me çdo kusht. “Rivali është Kosova, – shkruan media, – një shtet që Spanja nuk e njeh, ndërsa ka realizuar represion kundër pavarësisë së Katalonjës. Në 2008, Kosova fitoi pavarësinë nga Serbia me vendim të njëanshëm të parlamentit të saj. Pas 13 vjetësh, 22 nga 27 shtetet e BE-së e njohin Kosovën, dhe në OKB kalon 50 për qind të njohjes. Paralelizmi mes Katalonjës dhe Kosovës, dhe mes Spanjës e Serbisë është i dukshëm dhe kjo sjell tronditje në Madrid”.
“Shteti anakronik spanjoll, – vazhdon editoriali, – i kapur pas këtyre problemeve, nuk mundi të mësonte historinë e shekullit të 20-të dhe vazhdon të manovrojë me 1000 mënyra për të penguar përballjen me Kosovën”.
Sfidanti.al