Nga vetë qeveria e futbollit nuk do të ketë më pengesa. UEFA vendosi që të heqë kufizimin prej 30 për qind të kapacitetit, të vendosur për praninë e tifozëve në stadiume. Ky vendim u mor në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të mbajtur sot në Mançester. Kufizimi prej 30 përqindësh ishte bërë i detyrueshëm nga UEFA që nga 1 tetori i vitit të kaluar, dhe kishte të bëntë me rregullat për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Me procesin e vaksinimit që po kryehet në Europë, pavarësisht problemeve dhe polemikave, po krijohet mundësia e krijimit të imunitetit ndaj infektimit dhe kjo e ka ndihmuar UEFA-n për të liberalizuar qendrimin e saj ndaj tifozëve. Kjo ka të bëjë jo vetëm me stadiumet, por edhe me futbollin në sallë. Gjithsesi, UEFA bën të qartë se vendimi i fundit për praninë ose jo të publikut i takon autoriteteve shëndetësore dhe shtetërore në vendet europiane, e për momentin kufizimet mbeten.
Tifozët u ndaluan në stadiume që nga fundi i muajit shkurt në Itali e pastaj në mars në të gjithë kontinentin, përfshi edhe Superligën shqiptare, ndërsa ka pasur kthime të kufizuara. Përjashtimet kanë qenë më shumë në Europën Lindore, e sidomos në Rusi ku publiku është mjaft i pranishëm nëpër ndeshjet e kampionatit dhe të kupës. UEFA, po ashtu, vendosi të zgjasë afatin për rregullin e 5 zëvendësimeve deri në fund të ndeshjeve eleminatore të Botërorit, po ashtu edhe për finalet e Europianit këtë verë, finalet e Ligës së Kombeve në tetor dhe për ndeshjet e plej ofit të Ligës së Kombeve në mars 2022.
Sfidanti.al