Kauai Leonard dhe Los Anxhelos Klipersat po e tregojnë veten gjithnjë e më shumë se janë një kandidat serioz për titullin në NBA. Në “Stejpëll Sentër” arritën një fitore të rëndësishme 122-112 ndaj Filadelfias, që pati në stol ish-trajnerin e Klipersave, Dok Rivers. Leonard shënoi 28 pikë, ndonëse nuk bëri shumë në aspektet e tjera me 4 topa në tabela, 4 asistë, por edhe 3 vjedhje topi. Ai ka mbi 1 000 vjedhje topi, një nga 21 lojtarët ende aktivë që e kanë arritur.
Pol Xhorxh ndikoi pak më shumë me 24 pikë, 9 topa në tabela, 9 asistë, 3 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje, ndërsa Terans Man shtoi 23 pikë. Shënuesi më i mirë në parket ishte Tobias Harris i Filadelfias, ndërsa kryesuesja e Konferencës Lindore mbetet ende pa lojtarin më të mirë të saj, dhe të cilësuarin si më të mirin e NBA-së këtë sezon, Zhoel Embijd. Ndeshjen e radhës, Klipersat e kanë në shtëpi ndaj Miluokit, kundër të cilit kanë fituar 4 herë radhazi. Filadelfia vazhdon të kryesojë në Lindje me 32 fitore e 14 humbje, ndërsa Klipersat janë në vendin e tretë në Perëndim me 31 fitore e 16 humbje.
Sfidanti.al