Anglia “shtyp” San Marinon, gati të sulmojë Shqipërinë në Arenë

Një fitore fare-fare e thjeshtë, dhe një barazim dramatik. Këta ishin përfundimet e dy ndeshjeve të tjera të grupit tonë eleminator, me Anglinë që triumfoi 5-0 ndaj San Marinos, dhe Hungarisë e Polonisë që u ndanë në barazim 3-3 në Budapest. Në “Uembli” të Londrës, trajneri vendas Garet Sauthgej, vendosi të eksperimentonte dhe t’u jepte mundësi lojtarëve të rinj, duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarit dhe traditën, që do të thotë se kundër Shqipërisë të dielën, mund të hyjë në lojë “artileria e rëndë” e udhëhequr nga kapiteni Harri Kejn apo Megajer.

Shanset ishin që të gjitha për Anglinë pasi rezultatet ishin të tilla me fitore ndaj San Marinos si 6-0, 7-1, 5-0, 8-0, 5-0 e 6-0. San Marino është skuadra më modeste e Europës, jo më kot përfaqësuese e një qyteti me 38 000 banorë, më pak se gjysma e kapacitetit të “Uemblit” kur është i mbushur. Për Anglinë shënuan Uard-Praus, Kalvert-Ljuin e Stërling në pjesën e parë si dhe sërish Kalvert-Ljuin i Evertonit dhe debutuesi Olli Uatkins pas pushimit. Sauthgejt, edhe zëvendësimet i bëri me të rinj si Bellingham, Mings dhe Foden, ndërsa Tripier ishte pak me më shumë përvojë.

Anglia: Poup, Xhejms, Çiluell, Uard-Praus, Stouns, Koudi, Lingard, Filips, Kalvert-Ljuin, Stërling, Maunt.

Sfidanti.al