Milani është “marka” italiane numër 1, por Donaruma nuk bindet

Në SHBA, një treg i madh dhe global, emri i klubit kuqezi është në vend të 8-të të renditjes absolute të kompanive më të njohura, pra më popullore. Në Kinë po ashtu është tepër e fortë si markë, dhe është klubi më i njohur italian jashtë Italisë. Jo më kot, pasi Milani ka 7 Champions dhe më shumë trofe ndërkombëtarë se të gjitha skuadrat italiane, duke qenë i krahasueshëm me Realin apo Boka Juniorsin e Barcelonën. Elementët që llogariten janë tradita, kultura e tifozëve, cilësia e lojës, suksesi i klubit, vlerësimi për lojtarët dhe trajnerët, vlerësimi i drejtimit të klubit. Në SHBA, vetëm Man. Junajtid, Reali, Barça, Man. Siti, Liverpuli, Çelsi e Bajerni janë mbi Milanin, ndërsa në Kinë është në vend të tretë pas Realit e Barcelonës. Në Itali, ndërkaq siç pritet, Milani është në vend të dytë pas Juventusit.

Gjithsesi, pavarësisht këtij vlerësimi të madh si klub, brenda e jashtë vendit, Milani nuk po arrin t’i bindë të gjithë yjet e tij që të rinovojnë, dhe problemi kryesor është ai i portierit Xhixho Donaruma. Drejtuesit i ofrojnë 8 milionë euro në sezon, dhe mediat italiane shkruajnë se klubi ka shkuar përtej mundësive të veta, por ende nuk ka akord. Agjenti Raiola hesht, sepse bën bisedime me klube të tjera për rrogë më të madhe, por sidomos për fitime më të mëdha për vete nëse ndodh transferimi.

Sfidanti.al