Murinjo kupton çdo të thotë të punosh në një klub “të vogël”

Në përfundim të ndeshjes në “Vila Park” ai nuk ishte aspak i gëzuar, siç e tregon edhe fotoja, pavarësishts e Totenhemi kishte fituar 2-0 ndaj Aston Vilës. Përballja e Premier Ligës u mbyll me sukses dhe Zhoze Murinjo pati atë që dëshironte, një tripikësh para ndërprerjes së sezonit për shkak të kombëtareve, por ai u duk pesimist dhe i hidhëruar ndërsa takoi lojtarët e tij dhe foli për mediat.

“Kjo fitore u arrit nga një grup lojtarësh që u turpërua, – tha trajneri portugez, – këtë frymë ne duhet ta kemi në çdo ndeshje. Ajo që ndodhi të enjten do të lerë shenjë për një kohë të gjatë”. Murinjo e pati fjalën për eleminimin nga Liga e Europës, kur skuadra e tij që vlen qindra milionë paundë stërlina u mposht nga Dinamo e Zagrebit, që duhet quajtur “vogëlushe” në krahasi me Spërsat. “Fitorja ishte nëj reagim prej burrash, pasi burrat e vërtetë nuk mund të thonë se nuk u bëhet vonë nga dështimet”, – gjykoi ai.

Gjithsesi, pesimizmi i Murinjos kishte të bënte me faktin se yjet e ekipit janë me mendje të dyzuar për të ardhmen, gjë që prish punë në fushën e lojës. Kjo sepse ata ndjejnë që me Totenhemin është e vështirë të fitohen trofe. “Nuk është e lehtë sot, – theksoi ai, – egoizmi është kudo, interesat individuale, agjentët (e lojtarëve). Është e vështirë të krijosh një etikë grupi sepse ana psikologjike e të rinjve nuk është e lehtë (për t’u menaxhuar)”. Shkurt, është problem të punosh në një ekip ku lojtarët duan që të ikin, përfshi edhe kryesorët si Harri Kejn, Son, Moura apo Bejl. Kjo nuk ndodhte tek Reali, tek Çelsi apo Interi me të cilët Murinjo fitoi shumë, ndërsa tani mund t’i kuptojë më mirë kolegët e tij.

Sfidanti.al