Kris Poli arrin 10 000 asistë, ja përse e quajnë “Gjenerali” dhe “Zoti”

Në NBA ai vlerësohet si “Perëndia e lojtarëve anësorë” (Point God), dhe padyshim që e meriton këtë epitet bombastik dhe të ekzagjeruar. Kris Pol e mbylli me një tripëll dabëll ndeshjen që Feniksi fitoi ndaj Lejkërsave (111-94), duke festuar në mënyrën më të mirë të mundshme mbërritjen e kuotës së 10 000 asisteve në karrierë. Ai u bë lojtari i gjashtë në historinë e NBA-së që “prek” 10 000 asistet, duke qenë në ndjekje të legjendave Xhon Stokton, Xhejzën Kid, Stiv Nesh, Mark Xhekson dhe Mexhik Xhonson. Ndaj Lejkërsave, që ishin pa Lebron Xhejmsin dhe Entoni Dejvisin, veterani 35-vjeçar pati 11 pikë, 13 asistë dhe 10 topa në tabela, plus 3 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje.

Ashtu si Lebroni, edhe ai dëshiron të vazhdojë të luajë basketboll për të thyer rekorde. “U thashë shokëve të mi se e kam shumë të lehtë që ta bëj, – foli Poli pas ndeshjes, – thjesht u pasoj atyre topin”. Me 10 004 asistë, ai është mbi Lebron Xhejmsin dhe Oskar Robertsonin, ndërsa i ka mundësitë që të kalojë Mexhik Xhonsonin, Mark Xheksonin e Stiv Neshin, që nuk janë më shumë se 330 asistë mbi të, por do të jetë e vështirë të kapet Xhejzën Kid me 12 091 dhe Xhon Stokton me 15 806 asiste.

Sfidanti.al