Sa bukur e imagjinon “Bildi” skenën në fund të ndeshjes, Këln-Dortmund, sikur në tribunën e miqve të ishin tifozët e Borusias. “Me përjashtim të Halandit, ju të gjithë duhet të zhdukeni”, duhet të kishin qenë thirrjet e “Murit të Verdhë” pasi skuadra e tyre i zhgënjeu sërish dhe ishte pranë humbjes. Erling Halandi shënoi dy herë dhe shpëtoi të paktën barazimin, por gjithçka ngjan si humbje sepse Frankfurti e Volfsburgu fituan dhe zona Champions është tani 4 pikë larg.
“E urrej pa fund këtë gjë të qelbur”, mësohet se ka thënë Halandi në përfundim të pjesës së parë, ndonëse duke përdorur fjalë më “pikante” sesa kaq. Në mbyllje të ndeshjes, ai menjëherë i dha fanelën një lojtari të Këlnit që ia kishte kërkuar, dhe vrapoi në tunel drejt dhomës së zhveshjes. As nuk u takua me shokët, as me trajnerin Terziç, por u zhduk për 14 sekonda. Sulmuesi 20-vjeçar ka tani 21 gola në 21 ndeshje në Bundesligë, diçka e madhe për moshën e tij, por Championsi duket larg. Nuk dihet edhe sa kohë Dortmundi do ta ketë në ekip. Nëse nuk arrihet Liga e Kampionëve sezonin e ardhshëm, me shumë gjasë Halandi do të largohet.
Sfidanti.al