Cilësohet si pasardhësi i Ledian Memushajt. Nedim Bajrami po shkëlqen në Serinë B me Empolin, dhe jo më kot Juventusi pagoi 2 milionë franga zvicerane për të, veçse kombëtarja shqiptare me shumë gjasë nuk do ta ketë në ndeshjet e radhës. Trajneri Edi Reja e kërkoi me ngulm 22-vjeçarin me origjinë nga Kosova e të lindur në Zvicër, por duket se problemet me pasaportën pritet ta pengojnë që të grumbullohet me kuqezinjtë për 3 ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës në fund të këtij muaji.
Burime në Federatë deklaruan se burokracitë po prishin shumë punë, sidomos që pas ndryshimit të ligjit për dhënien e nënshtetësisë shqiptare. Kombëtarja luan në Andorrë në 25 mars, pastaj pret Anglinë në “Arenën Air Albania” në 28, dhe në 31 mars shkon në fushën e San Marinos.
Bajrami është në formë të madhe me Empolin në Serinë B të Italisë duke shënuar 3 gola e shërbyer 7 asistë në 26 ndeshje. Ai vlerësohet si lojtar me nivel të lartë teknik, i shpejtë dhe që e njeh mirë portën, por sidomos ka vizion për organizimin e lojës. Trajneri Reja e cilëson si të domosdoshëm për përfaqësuesen, në rolin e organizatorit ku problemet kanë qenë të mëdha pa Memushajn. Në total, Bajrami ka 10 gola e 13 asistë për Empolin në 59 ndeshje në çdo konkurrim, ndërsa ka qenë i dalluar edhe në Zvicër me Grashopersin. Juventusi ia bleu kartonin pikërisht nga Grashopersi për 2 milionë franga zvicerane, por e huazoi tek Empoli për t’i dhënë mundësi që të aktivizohet.
Sfidanti.al