Rivalët më të fortë? Tiago Silva vendos Mesin të parin

Lista e tij është me 10 emra, që të gjithë futbollistë të mëdhenj e shumë të talentuar. Në moshën 37-vjeçare Tiago Silva mund të bëjë një “rezyme” të karrierës dhe të dueleve të famshëm që është dashur të përballojë. i pyetur se kush janë kundërshtarët më të vështirë që ka pasur kundër, ai e nis me numrin 10, atë që është më i riu, Kilian Mbape, që është tepër i shpejt dhe i talentuar. Në vend të 9-të është Didie Drogba, një nga sulmuesit me forcën më të madhe fizike, e pas tij në vend të 8-të Angel Di Maria, që ka një të majtë fatale. Roberto Firmino i Liverpulit (dhe i Brazilit) është në vend të 7-të sepse Tiago Silva vlerëson klasin e yllit liverpulas. Në vend të 6-të Romario, lojtari i kompletuar brenda zonës së rreptësisë që ai ka parë, i 5-ti Adriano (një forcë e natyrës).

Në vend të katërt nis me “peshat e rënda”, Zllatan Ibrahimoviç me të cilin ka luajtur në krah tek Milani dhe tek Paris SG. Ibra është një frymëzim i madh, një brez i zi në artet marciale përpara se të bëhej “brez i zi” edhe në futboll. Në vend të tretë patrioti i tij brazilian, Nejmar (klas, inteligjencë, magji). Në vend të dytë Kristiano Ronaldo sepse është një profesionist i pakrahasueshëm dhe që ka arritur suksese të mëdhenj, ndërsa në vend të parë është Lionel Mesi, me “cilësi të pabesueshme” dhe një “talent të dhënë nga Zoti”, si dhe shumë profesionist. “Për mua, Mesi është numri 1”, – thotë Tiago Silva.

Sfidanti.al