Man. Junajtid, pas 4 barazimeve në 5 ndeshje vjen derbi me Sitin

Hera e fundit që ky ekip pati tre rezultate radhazi pa gola ndodhi në 2015-ën kur trajner ishte i shumëkritikuari Luis Van Gal. Barazimi i mbramë ndër ta ishte pikërisht ndaj Kristël Palasit siç i ndodhi mbrëmë skuadrës së trajnerit Ole Gunar Solskjer që, për më tepër, ka 4 barazime në 5 ndeshjet e fundit të Premier Ligës. Një ritëm jo për titull, por as për të mbijetuar në kategori, por ky është realiteti ndërsa në fundjavë vjen sfida gjithashtu në kampionat në fushën e Mançester Sitit.

Shqetësimi është i madh tek tifozët, dhe kritikat janë të forta nga analistët që theksojnë se “djajtë e kuq” nuk po përballojnë dot presionin që po luftojnë për titull, që sulmuesit e tyre Rashford, Marsial apo Grinvud nuk shënojnë dot gola, ndërsa Kavani ka qenë i dëmtuar, që Bruno Fernandes është lodhur e Pol Pogba i dëmtuar, dhe se mbrojtja vërtet po mbahet, por nuk është aq shumë e qendrueshme dhe nuk po e ndihmon ekipin në fazën e sulmit. Me 14 pikë prapa Sitit, Junajtid është në një kontrast të fuqishëm me “kushërinjtë” që kanë 21 fitore radhazi. i rroftë zotërimi i topit sepse në kuadrat patën vetëm një gjuajtje në mbi 90 minuta!

“Ne duhet t’i fitojmë ndeshje të tilla – deklaroi mesfushori serb, Nemanja Matiç, – Palasi luajti i organizuar në mbrojtje, dhe pati mundësi të fitonte në fund, por ne jemi Mançester Junajtidi. Duhet të luajmë shumë më mirë, të kemi më shumë guxim ndryshe nuk i fitojmë dot ndeshjet”. Ish-kapiteni Roi Kin tha pas barazimit të fundit se “duket se Junajtidi po përpiqet të sigurojë shpinën, dhe jo të luftojë për të arritur Sitin”.

Sfidanti.al