Tuheli do të donte ta mundte “vëllanë e madh”, Jurgen Klop

Kur ish-trajneri i Borusias vendosi në 2015 të firmoste për Liverpulin, tekniku i sotëm i Çelsit bëri shaka. “Jam shumë i lumtur që Klopo e ndau mendjen, sepse tani e di se ku do të shkoj si trajner herën tjetër”, – tha Tomas Tuhel. Kishte të drejtë, ndonëse kjo gjë nuk ndodhi. Vetë Tuheli kishte zëvendësuar Jurgen Klopin fillimisht tek Mainci dhe pastaj tek Dortmundi, ndërsa rrugët u ndanë. Me “Klopon” në “Anfild” në 2015, Tuheli shkoi tek Paris SG dhe tani tek Çelsi. Në fund të fundit u takuan sërish, veçse jo në Bundesligë, por në Angli.

Tuheli e ka pasur shumë të vështirë të përballojë krahasimin me Klopin. As tek Mainci dhe as tek Dortmundi atë nuk e deshën si paraardhësin, dhe ai nuk arriti dot rezultatet e tij. Klopi fitoi 2 herë Bundesligën me Borusian si dhe arriti finalen e Championsit. Gjithsesi, edhe Tuheli e arriti finalen e Championsit sezonin e kaluar me Paris SG dhe fitoi titullin në Francë. Sot, të dy do të jenë përballë në “Anfild”, kemi një Livepul-Çelsi dhe gjermani “londinez” ka shpresë meqë nuk do të ketë tifozë. “Liverpuli e ndjen më shumë se të gjithë mungesën e publikut, – thotë ai, – është gjë e madhe mbështetja e tribunës “Kop”. Gjithsesi, do të kemi përballë kampionen në fuqi”. Siç shkruajnë mediat angleze, Tuheli e respekton Klopin, por do të donte pafundësisht që ta mundte, qoftë edhe një herë.

Sfidanti.al