Këtë herë nuk u lodh për të shënuar mbi 40 pikë, madje as 30. Gjithsesi, Nikola Jokiç mbetet një garanci për Denverin në NBA dhe një lojtar që nuk heq dorë nga tripëll dabëlli. Basketbollisti shtatlartë serb ishte më i miri për ekipin e tij në fitoren jashtë fushe në Oklahomë me shifrat 126-96. Jokiç shënoi 19 pikë, kapi 11 topa në tabela e shkëlqeu me 13 asistë, duke vjedhur edhe 2 topa nga kundërshtarët e duke humbur topin vetëm 3 herë. Për këtë ai mori vlerësimin 34 pikë, katër më shumë sesa Xhamal Marrej që shënoi 26 pikë. Të pesë lojtarët e formacionit të Denverit shënuan me dy shifra, ndërsa miqtë dominuan në tabela dhe në lojën kolektive. Denveri ka ngjitje këto kohë duke pasur 19 fitore e 15 humbje dhe synon të hyjë mes 4 ekipeve të parë në Perëndim.
Jokiç ka gjithsej 44 tripëll dabëlla në një karrierë të shkurtër në NBA, vetëm 2 më pak se Xhejmd Hardën. Ai i ka të gjitha mundësitë që të konkurrojë me më të mirët, madje edhe të arrijë rekordin e Oskar Robertsonit që ka 181 tripëll dabëlla në 14 sezone, në 1040 ndeshje. Jokiç ka luajtur 414 ndeshje në NBA, dhe ka mundësi të luajë për më shumë se 14 sezone.
Gjithsesi, Jokiç do të ketë shpejt konkurrencën e një tjetër europiani, pikërisht të Luka Donçiçit. Slloveni 22-vjeçar është në sezonin e tretë të tij në NBA dhe ka realizuar 25 tripëll dabëlla në vetëm 164 ndeshje, që do të thotë një tripëll dabëll në 6 ndeshje, thuajse të njëjtën mesatare si Robertsoni dhe Rasëll Uesbruku, lojtari më i mirë i tanishëm për tripëll dabëll.
Donçiç nuk e bëri dot këtë gjë në ndeshjen e fundit, fituar nga Dallasi ndaj Bruklinit me rezultatin 115-98 madje jashtë fushe. Slloveni pati 27 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë. Dallasi gjithashtu e ka marrë veten në renditje, por ende jo sa duhet me 16 fitore e 16 humbje.
Sfidanti.al