Kjo skuadër mund të mos jetë një “dokushdo”, siç thoshte disa kohë më parë një trajner i shquar futbolli, por gjithsesi është nga ekipet më të habitshëm të botës. Barcelona është në gjendje të kalojë nga triumfe bindës, në katastrofa të rënda, siç bëri këto ditë me barazimin 1-1 në “Kamp Nou” në La Liga ndaj Kadisit, me humbjen 1-4 po në “Kamp Nou” në Champions ndaj Paris SG, dhe me fitoren e kësaj të shtune 2-0 në fushën e Seviljes.
Fitore ndaj një rivali për titull e për Champions, ndaj një ekipi që e ka mundur në Kupën e Mbretit, ndonëse ende nuk e ka eleminuar. Golat e Usman Dembelesë dhe Lionel Mesit bënë që seviljanët e trajnerit Lopetegi të mos e përballonin dot ekipin katalanas, që ndoshta ende nuk ka forcën e duhur psikologjike, qendrueshmërinë, përvojën dhe automatizmat e lojës, e këto duhet të jenë arsyet që shkon “sa lart, poshtë”. Ky sukses i të besuarve të trajnerit Kuman bëri që të ngjiteshin në 53 pikë në vend të dytë, ndaj 55 të Atletikos së Madridit që ka luajtur dy ndeshje më pak. Reali ka 52 pikë me një ndeshje më pak, ndërsa Sevilja mbeti në 48.
Ajo që bën gjithashtu përshtypje është rendimenti i Lionel Mesit në 2021. Kapiteni ka shënuar 14 gola në 14 ndeshje, po ashtu ka dhënë 4 asistë. Kjo do të thotë se ai ka shënuar më shumë se kushdo tjetër në Europë në këtë periudhë, edhe se Mbape, Haland, Ronaldo dhe Levandovski. Argjentinasi ka 19 gola në La Liga, duke qenë shënuesi më i mirë, po ashtu 24 gola në total në sezon.
Sfidanti.al