Levandovski arrin në 28 gola, rekordi i Gerd Mylerit nis të “lëkundet”!

Në moshën 32-vjeçare ndihet ende tepër i ri. Jo më kot Robert Levandovski është një nga “mbretërit e fitnesit” ndër futbollistët, dhe kjo formë e tij fizike po e ndihmon të vazhdojë me shënimin e golave. Me dy rrjeta në portën e Këlnit, në fitoren 5-1 të Bajernit në Bundesligë, sulmuesi polak arriti në kuotën 28 për këtë edicion. Kjo do të thotë 12 rrjeta më pak sesa rekordi i Gerd Mylerit në një sezon të plotë të kampionatit, arritur në 1972. Kur duhen edhe 11 ndeshje deri në fund të vitit sportiv, “Leva” ka nevojë edhe për 12 gola të tjerë për të barazuar “Bomberin e Kombit”. Një detyrë e vështirë, por jo e parealizueshme për një lojtar të këtij kalibri.

Golat e tjerë për kampionët u shënuan nga Çupo-Moting dhe dy herë Serg Gnabri. Bajerni ka 52 pikë në 23 ndeshje, një ecuri e mirë ndonëse ka pasur shumë “ngecje” këtë vit në kampionat, me 3 humbje e 4 barazime si dhe me 32 gola të pësuar. Gjithsesi, loja sulmuese ka bërë që efekti negativ i gabimeve në mbrojtje të pakësohet. Bavarezët kanë shënuar 67 gola, gati 20 më shumë sesa ekipi që ka shënuar më shumë pas tyre, Dortmundi.

Sfidanti.al