Jehona e derbit të Lombardisë, Italia “në këmbët” e Interit të Kontes!

Përpara ndeshjes, kryesuesit nuk donin ta dëgjonin fjalën “shkëputje”. Ndodhi pikërisht kështu në përfundim të derbit të Lombardisë, dhe Interi është tani 4 pikë mbi Milanin në krye të renditjes së Serisë A. E gjithë Italia, sidomos mediat sportive, nisën hosanatë për skuadrën e trajnerit Antonio Konte që arriti vërtet një sukses të thellë 3-0, shifra që bënë të harrohej fakti se derbi nuk qe aspak i lehtë.

“La Gazeta delo Sport”: Stërfuqia e Interit! Shembet Milani, 3-0 në derbi dhe arratisje për titullin, zikaltërit në +4! Dopio Lautaro, pastaj shënon Lukaku, Ibra ndalet nga Handanoviç! Kjo është skuadra e Antonios!

“Il Korriere delo Sport”: Arratisje për titullin! Zikaltërit dominojnë derbin, 3-0! i shumëzojnë të gjithë me zero dhe kandidohen për titull! Dopio Lautaro, predhë e Lukakut!

Edhe e përditshmja torineze, “Tutosport”, që zakonisht është dukshëm në krahun e Juventusit, detyrohet të pranojë se Interi tregoi forcën me veprimin që bëri, me Lautaron, Lukakun e mbinjeriun Handanoviç: Arratisje për titull!

Konte, padyshim që u ndje i lumtur për një sukses që forcon pozitat e Interit dhe që i jep edhe më shumë besim lojtarëve të tij, ende të pamësuar me trofe. “Padyshim prisja një ndeshje të vështirë, – tha ai, – Milani e tregoi veten dhe duhet t’i bëj përgëzimet e mia. Të mos flemë mbi dafina, sepse ndeshjet e ardhshme ndaj Xhenoas e Parmës do të na japin sinjalin e duhur për nivelin e pjekurisë që ka arritur kjo skuadër”.

Një disfatë 0-3, sidomos në derbi, ndonjëherë mjafton për të shkatërruar punën e një sezoni, ndaj edhe trajneri i Milanit, Stefano Pioli, u kujdes të vlerësonte paraqitjen e futbollistëve të tij.

“Dy 15-minutëshat e parë të çdo pjese kushtëzuan rezultatin përfundimtar, – deklaroi tekniku, – Nuk e nisëm mirë ndeshjen, pësuam golin që lejoi Interin të luante siç dëshironte. Më pas, në 15 minutat e pjesës së dytë dominuam, por u goditëm në momentin më të mirë. Më vjen keq, meritonim barazimin. Ishte një javë e vështirë, jo pozitive, dhe duhet ta analizojmë se përse nuk jemi në 100 për qind”.

Interi është sot në qiellin e shtatë, pas dy golave të Lautaro Martinezit, provës së forcës së Lukakut dhe paraqitjes magjike të portierit Handanoviç. Nuk dihet nëse e ka arritur pjekurinë e duhur, por padyshim është favorit për titull.

Sfidanti.al