Klopi e sheh Liverpulin vetëm 10 për qind keq, pavarësisht 4 humbjeve

Në përfundim të sezonit të kaluar, kur u qortua sado pak për mungesën e investimeve për të forcuar ekipin, Jurgen Klopi tregoi një histori. Ky rrëfim ishte për 2011-2012 me Dortmundin në Bundesligë, pra edicionin pasi fitoi titullin. “Ne u shpallëm kampionë në 2011, – tha Klopi, – e nisëm keq sezonin pasardhës dhe ishim në vend të tetë në një moment të caktuar, por pastaj nisëm ngjitjen dhe e fituam sërish titullin. Unë e di se nëse do ta nisim keq me Liverpulin, do të ketë kritika, por sërish ne mund të fitojmë”.

E vërteta është se të kuqtë e nisin jo keq këtë vit sportiv, por vazhdimi ishte i rëndë. Katër humbje radhazi në kampionat, Liverpuli nuk i kishte pësuar prej gati 100 vjetësh, që nga 1923-1924, pra kuptohet sesi është gjendja. Vështirë se mund të ketë krahasim me edicionin 2011-2012 të Dortmundit, pasi sipas të gjitha gjasave të kuqtë vështirë se do të shpallen kampionë. Gjithsesi, Klopi nuk ka ndërmend të dorëzohet, diçka që e kanë të gjithë trajnerët e shquar.

“Nëse sheh ndeshjen ndaj Evertonit, – tha ai për BBC-në, – vëren se në 90 për qind të gjërave ne ishim mirë, por ishim keq në 10 për qind. Duhet të përmirësojmë këto 10 për qind sepse kjo bën diferencën dhe ne po humbasim. Gabuam te goli i parë, më pas luajtëm shumë futboll, krijuam raste, sidomos në pjesën e dytë, por nuk i shfrytëzuam. Duhej të kishim qenë më të qetë!” Besohet se duhej të kishin qenë edhe më të shlodhur, ndërsa dëmtimet janë të shumta si Van Dajk, Gomez, Matip, Henderson, Fabinjo.

Sfidanti.al