Katër Grand Sleme, 20 milionë USD në bankë, kjo është Osaka, kampionia e Australisë!

Nga të gjitha rivalet e brezit të ri që po i jep fund dominimit të Serena Uilliamsit, është pikërisht kjo që duket kandidatja më serioze për të qenë “diktatorja” e ardhshme e tenisit të  femrave. Naomi Osaka, vajza japoneze me origjinë të përzier, arriti fitoren e katërt të rëndësishme në karrierë, titullin në Australian Open që e siguroi në finalen ndaj amerikanes Xhenifer Bredi. Në moshën 23-vjeçare, ajo ka 4 Grand Sleme të fituara dhe rreth 20 milionë USD si llogari bankare, ndërsa karriera duket se do të vazhdojë të jetë në ngjitje.

Finalja ndaj Bredit u fitua pa shumë vuajtje, 2-0 me sete (6-4, 6-3) në 77 minuta lojë, ndërsa në gjysmëfinale ajo fitoi pikërisht ndaj legjendës Serena Uilliams. Osaka u bë e para teniste femër që fiton 4 finalet e para të saj në Gramd Sleme, që nga koha e Monika Seleshit. Nga meshkujt, në epokën moderne këtë e ka bërë vetë, Rozher Federeri. Ajo ishte favorite dhe respektoi parashikimet duke humbur vetëm 1 set. Me nënë japoneze dhe baba nga Haiti, ajo lindi në Japoni, por u rrit në SHBA dhe banon pikërisht në Beverli Hills të Kalifornisë. Për momentin, ajo është numri 2 në botës, por i ka të gjitha mundësitë që të ngjitet në krye.

“Nuk dua të bëj parashikime se deri ku mund të arrijë, – tha ajo pas suksesit, – është vërtet diçka e çmendur kur e dëgjoj. Kur fitova dy trofetë e parë ishte thuajse fëmijë, nuk e kuptoja se çfarë kisha bërë. Tani arrij ta përballoj presionin, ndonëse do t’i marr turnetë një nga një”. Legjenda suedeze, Mats Vilander, deklaroi se “ajo mund të fitojë minimalisht 10 Grand Sleme, jam i bindur për këtë”.

Sfidanti.al