Lojtarët e mëdhenj e tregojnë veten atëherë kur duhet. Kjo gjë kërkohej nga Kauai Leonard dhe ylli i Los Anxhelos Klipersave iu përgjigj thirrjes së shokëve dhe të trajnerit. Udhëhoqi ekipin drejt një fitoreje të vështirë, por tepër domethënëse, 116-112 ndaj Juta Xhazit, duke arritur të ndalë skuadrën më të mirë të NBA-së deri tani. Leonard shënoi 29 pikë, duke qenë më i miri për kalifornianët, si dhe kapi 5 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, e gjitha kjo në më pak se 38 minuta në parket.
Edhe pse shpesh gaboi në gjuajtje, sidomos në ato për tri pikë, sërish prania e tij në të dyja tabelat ishte shumë e rëndësishme. Jo më kot, Leonardi njihet si një nga mbrojtësit më të mirë në basketbollin amerikan. Disa lojtarë të tjerë të Klipersave ndihmuan kapitenin e tyre si Pol Xhorxh, Lou Uilliams, Patrik Beverli apo Markus Morris. Kjo përpjekje skuadre bëri që të mos kishte vlerë paraqitja e shkëlqyer e yllit të Juta Xhazit, Donovan Miçëll, që shënoi 35 pikë. Për Jutën kjo ishte humbja e parë pas 9 fitoreve radhazi, por nuk e pengon që të mbetet në vendin e parë në Konferencën Perëndimore dhe në gjithë renditjen e NBA-se me 24 fitore e 6 disfata. Konkurrenca këtë sezon duket e madhe në basketbollin amerikan, sidomos në Perëndim, kur tri skuadra luftojnë për kreun, pikërisht Juta, Klipersat dhe Los Anxhelos Lejkërsat e Lebron Xhejmsit.
Sfidanti.al