Ky lojtar nuk pritet të jetë edhe për shumë kohë në qarkullim. Kombëtarja shqiptare duhet të përgatitet për jetën pas Ledian Memushajt, dhe trajneri Edi Reja duket se e ka gjetur një zgjidhje. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se italiani ka përzgjedhur një mesfushor sulmues që luan pikërisht në vendin e tij, në Serinë B, Nedim Bajramin.
I lindur në Zyrih të Zvicrës, Bajrami luan për Empolin në Serinë B dhe pavarësisht moshës së re, 21-vjeçare, është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm. Në 21 ndeshje të kategorisë së dytë italiane, ka shënuar 2 gola dhe ka shërbyer 6 asistë, ndërsa ka qenë në fushë për më shumë se 50 për qind të kohës. Vlerësimi është se Bajrami ka qenë i pranishëm në aksionet e golave të Empolit në 18 për qind të rasteve, një shifër aspak e vogël.
Mesfushori sulmues, që ka si cilësi sidomos fantazinë, e ka nisur karrierën në Zvicër, aty ku edhe ka lindur, duke luajtur me Grashopersin që në moshën 15-vjeçare. Më pas, ai kaloi në huazim tek Empoli, dhe më pas kartoni i tij u ble përfundimisht për 2.7 milionë euro, një shifër e rëndësishme për Serinë B. Fakti që Bajrami ka pranuar të vishet kuqezi është me mjaft vlerë sepse bëhet fjalë për një futbollist që ka luajtur në të gjitha nivelet e kombëtareve për Zvicrën, që nga U15 deri në U21, duke u aktivizuar për 50 ndeshje gjithsej e duke shënuar 8 gola.
Sfidanti.al