Mbape apo Halandi? Reali është kthyer nga “ujk” në “çakall”

Gjatë këtij shekulli nuk është kursyer dhe ka qenë në gjendje të merrte gjithmonë atë që dëshironte. Reali i Madridit që nga viti 2000 ka qenë Reali i Florentino Perezit dhe presidenti ka investuar radhazi, 60 milionë euro për Figon, 77 milionë për Zidanin, 45 milionë për Ronaldon, 94 milionë për Kristiano Ronaldon, 67 milionë për Kakanë, 101 milionë për Bejlin dhe 75 milionë për Hames Rodrigezin. Vetëm këto blerje janë mbi 520 milionë euro, por kohët kanë ndryshuar.

Milionerët e rinj të futbollit europian janë Paris SG dhe Mançester Siti. Francezët shpenzuan gati 400 milionë euro vetëm në 2017 duke marrë Mbapenë dhe Nejmarin, ndërsa Siti ka shpenzuar 400 milionë në tre vitet e fundit. Reali ka pësuar humbje nga pandemia, ka konkurrencë si dhe ka shpenzuar 500 milionë euro për stadiumin. Si i bëhet për të marrë Mbapenë apo Halandin? Për francezin shpresohet në afrimin e skadimit të kontratës sepse 180 milionë euro për kartonin nuk i gjen dot. Për Halandin, shpreson që të ketë një klauzola transferimi dhe të shfrytëzohen raportet e mira me klubin gjerman, Dortmund. Pra, Reali është kthyer nga “ujk” në “çakall”.

Sfidanti.al