Si shikohet barazimi i Bajernit ndaj Bilefeldit me sytë e tifozëve në Shqipëri?!

Çfarë do të thuhej në Shqipëri nëse superfuqia e kampionatit do të barazonte në fushën e vet me një rival modest? Padyshim që do të ngriheshin dyshime nga më të mëdhatë, madje do të kishte akuza me bindje të plotë, ndonëse kjo gjë nuk ndodh në Gjermani kur Bajerni del 3-3 në Mynih ndaj “liliputes” Arminia Bilefeld. Në një ndeshje vërtet të pabesueshme të Bundesligës, kampionët e Gjermanisë, të Europës e të Botës thuajse humbën duke qenë dy herë në dizavantazh të dy golave, por në fund e morën pikën.

Ishte hera e dytë që Bajerni gabonte në këtë sezon, kur diferenca ishte kaq e madhe, ndërsa hera e parë ishte eleminimi i turpshëm nga Kupa prej Holshtajn Kilit të kategorisë së dytë. Trajneri Hansi Flik bëri një analizë normale dhe fare të qetë.

“Na ndodhën shumë gjëra në pjesën e parë, por kryesorja është që ne nuk u mbrojtëm mirë, – tha ai, – gjithsesi, pas pushimit skuadra tregoi mentalitetin e saj të zakonshëm, që ishte një çmenduri e vërtetë. Duhet të themi se sot duhet të kënaqemi me rezultatin 3-3”.

As nga mediat gjermane nuk pati ndonjë dyshim apo thirrje për skandal, por vetëm tituj të mëdhenj sensacionalë, shpoti për bavarezët, lavdërime për Bilefeldin, dhe një kumt për golin e shkëlqyer të Robert Levandovskit.

Siç e thamë diçka krejt ndryshe nga sa mund të ndodhte në Shqipëri, në një vend ku njerëzit nuk besojnë se mund të ketë drejtësi as në gjyqe, spitale aq më pak në futboll, dhe që habiten thellësisht sesi në Kosovë mund të bëhen zgjedhje kaq të ndershme!

Diçka që nuk ndodh vetëm te ne, padyshim, dhe vetë gjermanët e theksonin këtë për skandalin e Tanxhentopolit në Itali gati 30 vjet më parë. Në Gjermani u bënë dokumentarë për të sqaruar korrupsionin që shkatërroi dy partitë kryesore italiane, por që qytetarët gjermanë nuk arrinin ta besonin që kjo gjë mund të ndodhte.

Natyrisht, as vetë futbolli gjerman nuk ka qenë i imunizuar nga skandalet. Në 1965, dhe në 1971 opinioni u trondit nga ngjarjet në Bundesligë, kur në fillim u shkelën rregullat për pagesën e lojtarëve, dhe më pas pati akuza për manipulim të ndeshjeve që përfshinë disa skuadra. Deri edhe legjenda më e madhe, Franc Bekenbauer, u akuzua për pagesa ilegale për të siguruar për Gjermaninë organizimin e Kupës së Botës 2006.

Për të mbiquajturin “Kaizeri” pati gjyqe, por përfundimisht ai u shpall i pafajshëm.  Në vitin 2005, arbitri Robert Hojcer u përjashtuar dhe u dënua me 2 vjet e 5 muaj burgim. Ai u gjet fajtor për trukim ndeshjesh në Bundesligën e dytë, Kupën e Gjermanisë dhe kategorinë e tretë, në një skandal që arrinte në 2 milionë euro. Gjithsesi, ka një element që tregon ndryshimin mes realiteteve atje dhe këtu tek ne.

Hojcer u denoncua nga vetë kolegët e tij, nga 4 gjyqtarë që dërguan një letër në Federatë, diçka që e quajtën detyrë, ndërsa në Shqipëri do ta dënonin si spiunim, ndërsa fëmijët e tij nuk shkonin dot në shkollë, të stigmatizuar si “pjesë e një të korruptuari”. Sa për Bajernin, ai do të vazhdojë të dominojë, por jo sepse ka blerë arbitrat dhe Federatën, por sepse vetë sistemi i futbollit gjerman ia krijon këtë mundësi.

Sfidanti.al