E mbani mend kohën e bojkotit apo e kemi harruar sipas zakonit shqiptar “harro dhe shiko para, mos e kthe kokën pas”. Le ta thyejmë këtë “rregull” dhe të kujtojmë ditët e budallëkut më të spikatur të këtij sezoni, kur futbolli lidhi këmbët e veta me litar dhe shteti , ose më mirë rapsodi i pari i tij, zoti Rama, ia këndonte futbollit dhe shefit të tij : “Vare veten me litar, O Dino!”
Ato ditë mbeten të paharruara për shumë arsye, por njëra ka hyrë me meritë në “Ginesin” tonë : na marrtë të keqen futbolli, nëse nuk takohen kokë më kokë zoti Rama me presidentin Duka! Mirë që dogjëm 2 muaj dhe zotat nuk u takuan që nuk u takuan, por ç‘ishte ajo batutë e tepruar e zotit Rama kur tha : “Futbolli e keni bërë si kioskë, një herë i ngre qepenat dhe një herë i ul qepenat..”
Tamam këto ditë, sepse na u kujtua historia e kioskës! Sebep u bë humbja e Vllaznisë me Laçin dhe vërshimi nëpër rrugët e Superligës i lajmit te bujshëm se ..kampionati u rihap! Disa javë me radhë ishte mbyllur dhe “çelsin” e kioskës i kishte vetem Vllaznia, aq sa gati të gjithë bekonin fatin të gjenin se cili ekip do të zinte vendin e dytë, se i pari e kishte marrë uratën..Sapo humb Vllaznia, pa u tharë akoma vula e arbitrit në protokollin e ndeshjes, të gjitha lajmet, sikur t’i kishte bërë e njëjta dorë dhe mendje, kishin të njëjtin kumbim: O Laçi, të falenderojmë, kampionati u rihap përsëri!
Hapet dhe mbyllet kampionati ynë , si një “kioskë” me orar të komanduar nga sipër, si një fizarmonikë që lodron më shumë me fatin e skuadrave se sa me tingujt e lojës! Mos u habitni këto dy javë, nëse Vllaznia hedh në tapet dy kundërshtarët “liliputë”(kështu duken në fushën prej letre), Skënderbeun dhe Apoloninë dhe klasifikimi thellohet përsëri, do të dalim nga ana tjetër e banakut të kioskës dhe do të themi: sa mirë ishim kur kampionati ishte i hapur, kjo Vllaznia na e mbylli prapë….
Sfidanti.al