Beloti, ndershmëri si Di Kanio, refuzon faullin dhe të verdhën kundërshtarit!

Dikur ndodhi në Angli me protagonist një futbollist italian, ndërsa tani një italian e bëri në Serinë A. Andrea Beloti, sulmuesi i Torinos, bëri një gjest me të vërtetë ndershmërie duke refuzuar një goditje dënimi të dhënë nga arbitri, e duke i hequr kundërshtarit kartonin e verdhë. Në aksion e sipër, “gjeli” (siç quhet me dashuri Beloti) u rrëzua disa metra larg zonës së rreptësisë së Atalantës, dhe arbitri akordoi goditje standarde. Po ashtu, i nxorri kartonin e verdhë Romeros, por reagimi i italianit ishte i menjëhershëm. Beloti bëri shenjë se nuk pësoi ndërhyrje të parregullt dhe bindi arbitrin që ta anulonte goditjen e dënimit. Po ashtu u hoq i verdhi për Romeron. Ky veprim ka edhe më tepër vlerë kur mendon se rezultati në atë kohë ishte 3-0 për Atalantën, pra Torino mezi po priste një rast për t’iu afruar golit, dhe goditja e dënimit pranë portës vendase ishte një rast i tillë.

Sfidanti.al