Rivali ishte i dobësuar, por sërish fitorja mbetet e madhe. Boston Sëlltiks po përpiqet ditë pas dite që të ngjitet në nivelin e lavdishëm të dikurshëm, ndaj edhe një sukses në Kaliforni nuk mund të hidhet poshtë. Los Anxhelos Klipersat nuk e shfrytëzuan dot avantazhin e Arenës shtëpiake “Stëjpëlls Sentër” duke u mundur 115-119, ndërsa i mungoi fort ylli numër 2 i ekipit, Pol Xhorxh.
Përballë një breshërie tripikëshe nga lideri i Bostonit, Xhejzën Tatëm, Xhorxhi do të kishte qenë përgjigja e duhur, pikërisht sepse po shkëlqen këtë sezon nga distanca. Tatëm shënoi 34 pikë për fituesit përfshi edhe 5 gjuajtje për tri pikë me saktësi 50 për qind. Mëkat që Xhorxhi nuk ishte sepse në fitoren në Klivlend realizoi 8 nga 9 tripikëshat që provoi.
Natyrisht, edhe Bostoni pati mungesa si Braunin, Langfordin dhe Smartin. Ndërkaq, Tatëm u tregua i fortë edhe në tabela si dhe vodhi 4 topa të kundërshtarëve, ndërsa u ndihmua nga Kemba Uolker me 24 pikë. Për Klipersat, ndërkaq, më i miri ishte Kauai Leonard me 28 pikë, 11 topa në tabela e 5 asistë. Shumë basketbollistë të tjerë shënuan si Batëm me 16, Uilliams me 18, Zubac, Morris e Kenard, por sërish kjo nuk mjaftoi. Pas këtij rezultati, Klipersat zbritën në vendin e tretë në Perëndim, pas Juta Xhazit dhe Lejkërsave, ndërsa Bostoni është në vend të katërt në Lindje.
Sfidanti.al