Si mund ta pranojmë ndarjen nga ne të njeriut të mrekullueshëm të sportit, Arben Fagu!

Nëse do të donim një personazh për të mishëruar në mënyrë kuptimplotë njeriun e vërtetë dhe sportistin e vërtetë në çdo detaj, një prej tyre do të ishte Arben Fagu. Ish-basketbollisti i dalluar i Partizanit dhe i ekipit kombëtar, edhe më i shquar si trajner i Dinamos, Partizanit e kombëtares, u nda prej nesh sot në moshën e parakohëshme 65-vjeçare. Një sëmundje e rëndë u bë shkak që Beni ynë të mbyllte sytë, në mënyrë të pabesueshme, dhe që ne miqtë e tij nuk duam ta pranojmë në asnjë mënyrë.

Vëllai i vogël i legjendës Agim Fagu, djali i njërit prej themeluesve të Partizanit, Besim Fagut, ai nuk u njoh thjesht nga vëllai dhe babai, që të dy të lavdishëm. Beni shkruajti historinë e tij në sport dhe në jetë, një njeri i vërtetë, që dinte të bënte vetëm mirë, tepër i kulturuar, i edukuar, profesionist në plot kuptimin e fjalës. Kur Agim Fagun e detyruan të largohej nga sporti në 1977, pasojat i pati edhe Beni, por ai vazhdoi rrugën e tij dhe u bë si trajner edhe më i njohur sesa ishte si basketbollist. Njeriu i drejtë, që e kishte të vështirë të bënte kompromis me parimet e tij, dhe për këtë arsye kurrë nuk u zgjodh nëpër forume ku duheshin teserat dhe ngritja e dorës dhe e kartonëve sipas dirigjimit nga lart.

Lamtumirë Ben Fagu. Pak ditë më parë të mora në telefon për një intervistë për katastrofën e basketbollit në Shqipëri, të ndaluar nga qeveria prej gati 1 viti. Telefonata nuk u bë, ti nuk e ngrite telefonin, ashtu i sëmurë siç ishe. Unë të kërkoj falje që nuk arrita thjesht të të isha pranë fizikisht kur ti ishe në fundin e rrugës tënde. Dikur thuhej “do të takohemi në Eliz”. Nuk e di nëse kjo mund të ndodhë, nuk prirem të besoj gjëra të bukura që nuk i argumentoj dot, por padyshim e them mbi bazën e bindjes më të plotë dhe ndjenjës më të thellë, se ti do të jesh gjithnjë i paharruar!

Sfidanti.al