Lukaku shënon dy gola, por heroi i Interit e ka emrin Eriksen!

Antonio Konte thoshte për të se është një talent i madh, por disi i druajtur. Diçka jo normale për një futbollist profesionist që ka provuar Premier Ligën e ashpër, por që nuk po shpërthente në Itali. Gjithsesi, Kristian Eriksenit i mjaftoi goli i kualifikimit ndaj Milanit në Kupë, për t’u çliruar e për të treguar sesa vlen. Konte e vendosi në rolin e regjisorit ndaj Beneventos në “San Siro” për Serinë A, sfidë e fituar 4-0 dhe ku danezi luajti shumë mirë.

Gjithçka nisi me autogolin e Rikardo Improntës që në 7’ dhe kjo ia bëri Interit ndeshjen më të lehtë. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se zikaltërit fituan sepse kundërshtari nuk luajti, por sepse të besuarit e trajnerit Antonio Konte bënë maksimumin që t’ia dilnin. Një vazhdimësi e mirë pas kualifikimit në Kupë ndaj Milanit, ndërsa diferenca me “kushërinjtë” lombardë mbetet 2 pikë. Pasi Lautaro Martinez e festoi me rrjetë arritjen e akordit për rinovimin e kontratës, ishte radha e Romelu Lukakut.

Gjigandi belg la pas krahëve sherrin e shëmtuar me Zllatan Ibrahimiviçin, për të cilin asnjëri prej tyre nuk ka kërkuar ende falje, duke shënuar 2 gola. Ai i ka të gjitha mundësitë që të luftojë për Këpucën e Artë në Itali, por kryesorja po ndihmon Interin që të luftojë për titullin. Interi ka 42 pikë dhe është skuadra me më shumë gola të shënuar në Serinë A, plot 49 ndaj 44 të Atalantës, e nga 41 të Milanit, Romës dhe Napolit.

Sfidanti.al