Lebron Xhejms nuk është nga ata që ka frikë, por gjithashtu nuk i mungon zgjuarsia për të kuptuar të vërtetat. Kampioni në fuqi i NBA-së dhe basketbollisti më i mirë i botës sot për sot, e kishte parashikuar se udhëtimi i Klivlendit në fushën e Golden Stejtit nuk do të ishte aspak “një udhëtim në pranverë”. Doli pikë për pikë sipas parandjenjës së Xhejmsit, pasi Uorriors triumfoi thellë duke e turpëruar Kavaliersin. Shifrat? 126-91, me Lebronin që shënoi vetëm 20 pikë, Irvingun që mezi arriti në 17, dhe Kevin Lovin që mbeti vetëm me 3.
Kjo ishte disfata e 11-të për Klivlendin, pak si shumë për një ekip kampion, kur ende nuk ka kaluar as gjysma e sezonit. Humbje të cilën ia shkaktoi një treshe e madhe, që nuk u sforcua aspak. Klej Tompson shënoi 26 pikë, Stefën Kërri 20 dhe Kevin Durant 21. Për momentin, vendi i parë në Lindje është i Kavalierist, por Toronto është vetëm 2 humbje larg, ndërsa as Bostoni nuk është shumë i shkëputur.
Gjithsesi, shqetësimi kryesor i Xhejmsit quhet “Golden Stejt”. Ai pohoi se skuadra nga Kalifornia ka qenë me e mira e kampionatit, pra më e mira në botë për 2-3 sezonet e fundit, me dy finalet që i ka diskutuar pikërisht me të, duke fituar nga një “për kokë”. “Golden Stejt është një skuadër shumë e fortë, – thotë Lebroni, – shumë e talentuar. Ajo është besoj, më e mira e 3 sezoneve të fundit, dhe një nga më të mirat që ka luajtur ndonjëherë në NBA”. Parashikimi tjetër i numri 23 të Klivlendit nuk është, po ashtu, aspak shpresëdhënës. “Uorriors do të bëhet gjithnjë e më i fortë sa më shumë ndeshje të kalojnë”, – janë fjalët e tij.