“U pajtuam”, Konte bën paqe me Kostën, që kthehet në ekip!

Nuk janë fëmijë, dhe kuptohet nuk mund të “allnohen” apo të “pajtohen” si të vegjlit. Megjithatë, edhe të rriturit mund të kenë hatërmbetje dhe pendim, siç ndodhi me Diego Kostën dhe Antonio Konten. Konflikti mes tyre duket është lënë pas krahëve pasi sulmuesi u pa në stërvitje bashkë me pjesën tjetër të skuadrës së Çelsit. Trajneri e bëri të vetën duke e lënë Kostën jashtë ekipit për ndeshjen në fushën e Leiçesterit, dhe të hënën në stërvitje, por duket se të dy kanë folur dhe kanë sheshuar mosmarrëveshjet.

Biseda nuk sqarohet në media, por duhet të ketë qenë e tipit “u tregova gjaknxehtë, por pa të keq” nga Diego Kosta, si dhe “këto janë gjëra që ndodhin” dhe “unë të vlerësoj maksimalisht” nga ana e italianit. Blutë fituan pa sulmuesin kryesor në fushën e kampionëve dhe Konte deklaroi se ai duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar, veçse trajneri është më i sigurt kur e ka lojtarin në fushën e lojës dhe besohet se ai do të jetë i grumbulluar për takimin ndaj Hull Sitit.

Mbetet ndërkaq transferimi drejt Kinës, që nuk është i qartë. Mediat raportojnë se agjenti i Kostës, Horge Mendes, bëri një vizitë në vendin e madh të Lindjes, ku u takua me presidentin e klubit, Tianxhin Çuanxhian. Besohet se për braziliano-spanjollin ka një ofertë të rëndësishme, ashtu edhe për Çelsin, por Abramoviç nuk ka ndërmend ta lejojë të largohet para se të vijë vera.

Sfidanti.al