Respekt Shefild Junajtidit, por Mançester Junajtidi mundi veten në “Old Traford”!

Deri para përballjes së sotme, skuadra mike kishte fituar vetëm një ndeshje gjatë gjithë sezonit përpara sesa të vizitonte “djajtë e kuq”. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi aspak Shefild Junajtidin që të triumfonte 2-1 në “Old Traford”, madje duke qenë thuajse gjatë gjithë kohës në epërsi. Pra, ekipi i vendit të fundit e mundi pretendenten për t’u kthyer në krye të Premier Ligës dhe kjo flet qartë se Mançester Junajtidi mundi veten, megjithë respektin për bardhekuqtë.

Kin Brajan (23’) dhe Oliver Bërk (74’) ishin autorët e golave për Shefildin, ndërsa Harri Megajer barazoi në 64’ për vendasit që kanë 40 pikë, një më pak sesa Mançester Siti ndonëse kanë luajtur një ndeshje më shumë. Shtatë herë këtë sezon, ekipi i trajnerit Solskjer kishte përmbysur rezultatin duke fituar, por këtë herë nuk ia doli, është e pamundur që të kesh fat gjithmonë, apo ta lesh fatin tënd për në fund. Forma në shtëpi nuk ka qenë e mirë, me 4 humbje deri tani, ndërsa “djajtë e kuq” nuk e treguan veten të aftë nga ana psikologjike për të përballuar presionin e një niveli të tillë. Do të duhet pra një farë kohe që të jenë kandidatë të vërtetë për titull.

Sfidanti.al