Ardian Ismajli fiton duelin kuqezi ndaj Marash Kumbullës në Kupën e Italisë!

Roma nuk po mundet të ngrejë kokë, e ndoshta ky eleminim mund t’i bëjë mirë. Dukej qartë që skuadra e trajnerit Fonseka nuk ishte në gjendje të mbante “tri kunguj nën një sqetull”, pra Serinë A, Ligën e Europës dhe Kupën e Italisë, ndaj fakti që njëri nga “kungujt” iu rrëzua përtokë mund ta ndihmojë. Eleminimi në Kupën e Italisë erdhi nga Specia e çudirave, madje brenda në Romë me shifrat 4-2. Ishte një duel i dy mbrojtësve të kombëtares shqiptare, që të paktën gjejnë minuta për të luajtur në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në Apenine.

Ardian Ismajli fitoi duelin me Marash Kumbullën sepse ekipi i tij u kualifikua pas kohës shtesë, ndonëse Ismajli mori të verdhë dhe shkaktoi penallti. Specia kryesoi deri në 2-0 me golat e shënuar nga Galabinov (11 metërsh) dhe Rikardo Saponara. Lorenco Pelegrini ngushtoi shifrat me penallti në 43’ dhe Henrim Mkitarian barazoi në 73’, ndërsa vendasit humbën dy raste të mira për avantazhin. Në kohën shtesë, Roma mbeti me 9 vetë pasi Xhanluka Mançini dhe Pau Lopez u përjashtuan me të kuqe. Në 107’, Daniele Verdi shënoi golin e tretë për miqtë, dhe në 119’ sërish Saponara shënoi për 4-2. Specia në çerekfinale, ndërsa çiftet janë këto: Atalanta-(Lacio/Parma), Napoli-Specia, Inter-Milan, Juventus-SPAL.

Sfidanti.al