Duel euro-amerikan në NBA, spektakël mes Kevin Durantit e Nikola Jokiçit!

Ishte një nga ata duele që mezi priten. Dy nga yjet kryesorë të NBA-së u vunë përballë në Nju Jork dhe ishin pikërisht Kevin Duranti dhe Nikola Jokiç. Tepër të ndryshëm, por edhe tepër të talentuar dhe udhëheqës të skuadrave të tyre. Durant, që po shikon sezonin e parë pas një dëmtimi të gjatë, ia doli të fitonte sfidën, madje ishte ai që mori me vete Bruklinin për të përmbysur shifrat, ndërsa Denveri kryesoi me 18 pikë në gjysmën e ndeshjes. Përfundimi ishte 122-116.

Ish-kampioni i dyfishtë i NBA-së me Golden Stejtin, shënoi 34 pikë, shërbeu 13 asistë dhe kapi 9 topa në tabela duke qenë shumë pranë tripëll dabëllit. Edhe pse e humbi topin pak si shpesh, sërish ylli elegant i Bruklinit u duk sikur luajti në një botë të ndryshme nga ajo e basketbollistëve të tjerë në parket.

Jokiç, ndërkaq, iu afrua jo një tripëll dabëlli, por diçkaja edhe më të madhe. Ai mund të kishte pasur realizime me dy shifra në katër elementë të lojës, pasi arriti 23 pikë, 8 topa në tabela, 11 asistë dhe 7 vjedhje topi. Një formë e shkëlqyer, ndonëse këtë herë lojtari qendër nga Serbia gaboi më shumë sesa duhet nga gjuajtjet për tri pikë. Pavarësisht nga yjet e mëdhenj në përbërje, dy skuadrat nuk po paraqiten shumë mirë këtë sezon. Bruklini është në vend të 7-të në Lindje me 6 fitore e 6 humbje, ndërsa Denveri i 11-ti në Perëndim me 5 fitore e 6 humbje.

Sfidanti.al