Nga shtanga te Komiteti Olimpik, kur sporti është “levë” e Partisë!

Ndryshojnë kohët, ndryshojnë ngjyrat politike, por njerëzit e sportit nuk ndryshojnë, janë të njëjtët veçse shkojnë “nga fryn era”. Pas maskaradës së Asamblesë në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, ja ku erdhi edhe skandali i radhës, por që duhet quajtur normalitet. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) u mblodh në një Asamble të Jashtëzakonshme, për të cilën as lajmëroi kënd, as nuk lejoi gazetarë, dhe vendosi shkarkimin e presidentit Viron Bezhani. As nuk ia vlen të shohim nga anon “peshorja”, pra nëse ishte Bezhani i mirë e këta të këqinj apo anasjelltas, por as nuk mund të mendohet se “kalaja” e KOKSH-it do të kishte ndonjë vlerë apo do të mund të merrej pa “yryshin” e politikës. KOKSH as nuk postoi ndonjë pamje filmike të mbledhjes, përveçse zbatoi skenarin e radhës. Një institucion më shumë “në dorë” do të thotë më shumë vota për partinë (kuptohet, për atë në pushtet). Nuk thuhet kot se “këta nuk janë socialistë për specialistë”, pasi nuk patën nevojë të shkaktonin thyerjen e kutisë së votimit siç ndodhi në 2008, por u morën të gjitha masat që votimi të ishte “99.99 për qind sipas vijës së Partisë”. Në këto kushte, sporti shqiptar e ka të ardhmen të siguruar! Të paktën, para 1990-ës vërtet kishte maskarada për votimet, por sporti ishte masiv, ndërsa tani kemi federata e komitete, por nuk kemi sportistë.

Sfidanti.al