Sikur  “gafa” e Manushit me Erjon Braçen kryeminstër..të ishte gol !

Ishte apo nuk ishte gol – pyetet me dyshim në lojën e futbollit. Ishte gafë shpejtësie nga ato të  ekranit  apo një “autogol” i kurdisur nga Edi Manushi?  Ajo që ndodhi herën e fundit në emisionin “Procesi Sportiv” , kur i ftuar nga “Skajp-i” ishte z. Erjon Braçe,  nuk ishte një biçim gabimi  nga ata që ndodhin shpesh në orbitën e ekranit. Ishte një moment befasues,si ata  që të lënë me gojë hapur kur drejtuesi i emisionit  Edi Manushi  prezantoi zotin Erjon Braçe si ..kryeministër të Shqipërisë! Dhe më e bukura, përgënjeshtrimi nuk erdhi nga njerëzit në studio, por nga vetë politikani…

“ O Manush! Nuk jam kryeministër, por zv.kryeministër!” Dhe me  një lojtar ekrani si Manushi, që e di fort mirë se fanatikët e sotëm të ekranit lënë kokën pas gjërave të pavërteta dhe të  çuditshme, pra  gafave spektakolare, nuk mund të vihet dora në zjarr nëse ishte shaka me spec apo spec me ..shaka djegëse? Sido që te jetë, me ato që dëgjuam nga goja e zotit Braçe, do të ëndërronim, që vetëm për një natë, qoftë edhe natë ekrani, Braçe të ishte kryeministër dhe zoti Rama të ishte ndihmnësi i tij.

Cila është arsyeja sportive e kësaj ëndërre të ndaluar ? Braçe, siç ka ndodhur shpesh në daljet e tij në ekran, ka blasfemuar gjithë këto vite  presidentin Duka dhe  shpurën e tij, si për të kompensuar të madhen heshtje të politikës ndaj  “shtetit të futbollit”. Apo siç pagëzohet  me gjuhën e politikbërjes,  Parti e topit  të shpuar,një parti që kur “Brace i vogël”  thërret me zë të lartë për bëmat e skajshme të tyre, duket sikur është i gjatë dy metra , tamam gjatësi kryeminstri!

Vetëm për një natë do të donim që ajo që tha Manushi të mos ishte “autogol”, por një gol i vërtetë edhe pasi t’i jetë bërë VAR-i. Është një ëndërrim i diktueshëm në këto 20 vite, pasi ithtarët e diktaturës me top, ata  që e quajnë veten Federatë,  kanë të drejtë të mendojmë, më shumë të besojnë se kur shefi i tyre del në skenën e lojës së madhe  me kryeministrat, qofshin sallaksha apo  ata që “gjuajnë” me të djathtën, luajnë vetëm për fitoren, madje e mallkojnë dhe barazimin..ngaqë ai u bën magji!

Sfidanti.al