Belgjikë, ndalohet festimi në grup pas shënimit të golave, kush e tepron rrezikon karton të verdhë e gjobë

Tamponë, izolime, vatra infeksioni, janë këto fjalë që për fat të keq janë bërë pjesë e leksikut të futbollit i cili nuk mundi t’i shpëtojë pandemisë Covid-19 në këtë vit 2020. Megjithatë pavarësisht vëmendjes së kushtuar ndaj kontakteve me jashtë për të evituar përhapjen e virusit, kush është brenda së njëjtë ‘flluskë’ zakonisht ndërvepron me një lloj lirie. Arsyetimi u bë menjëherë; përse  duhen penguar lojtarët të përqafohen e të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit duke marrë parasysh se qëndrojnë në të njëjtën dhomë zhveshjeje dhe kur janë në fushë janë të detyruar të prekin njëri-tjetrin? Në Gjermani, kur rinisi Bundesliga pas izolimit të parë u tentua të aplikojhej një rregull pak më i ashpër që i pengonte lojtarët që të gëzonin të përqafuar pas golave të shënuar, por kjo zgjati shumë pak. Tani me valën e dytë, në disa pjesë janë kthyer këto direktiva të vendosura pak muaj më parë.

Belgjika është një prej vendeve më të goditura nga pandemia dhe futbolli ka pasur problemet e tij pavarësisht se kampionati fillimisht u pezullua e më pas u mbyll përfundimisht pa u zhvilluar ndeshjet e mbetura. Tani që luhet, numri i futbollistëve të prekur nga Covid është rritur ndjeshëm duke bërë që drejtuesit e Ligës Belge të futbollit të përdorin mënyrat e forta. Sipas asaj që publikohet te ‘Brussels Times’, ideja është që të ndalen sërish përqafimet mes futbollistëve të skuadrave pas një goli të shënuar duke parashikuar ndëshkime me kartona të verdhë dhe gjobë.

Në komunikatën e Pro League theksohet se nëse ka festime që do të konsiderohen ‘të ekzagjeruara’ do të ketë ndëshkime me kartona të verdhë dhe gjobë 750 Euro,.Po kështu edhe festimet në dhomat e zhveshjes që  do të bëhen duke mos i respektuar normat do të ndëshkohen me gjobë për klubin, 10 mijë Euro për ato të Divizionit të Parë e 5000 Euro për ata të kategorive kadetë. Një vendim ky që do ta komplikojë akoma më shumë punën arbitrave që tani duhet të jenë të vëmendshëm edhe ndaj atyre që shënojnë gol dhe mënyrës sesi vendosin ta festojnë atë.

Sfidanti.al