Mesi nuk ka ndërmend të falë klubin, tepër i lidhur me Nejmarin dhe Suarezin!

Këto kohë të lumtura janë larg, ndërsa divorci duket sikur preket me dorë. Lionel Mesi sërish nuk e mohoi mundësinë e largimit nga Barcelona, ndonëse la një shpresë se edhe mund të qendronte në klubin ku mbërriti si fëmijë në 2001. Pas 19 vjetësh karrierë në “Kamp Nou”, duket se argjentinasi ndjen më shumë afërsi me të larguarit si Nejmar apo Luis Suarez, sesa me klubin e zemrës.

“Unë flas çdo ditë me Suarezin, po ashtu jam në kontakt me Nejmarin, – u shpreh ai në intervistën për televizionin spanjoll “La Seksta”, – hera e fundit ishte pas shortit të turit të dytë në Champions. Përsa i përket të ardhmes, le të presim. Unë do të vendos në verë”. Kapiteni theksoi se nuk është penduar që verën e kaluar dërgoi kërkesë zyrtare në klub për t’u larguar.

“Ishte mënyra për të mbajtur qëndrim dhe për të shprehur ndjenjat e mia, – tha Mesi, – ishte koha për t’i thënë klubit se doja të largohesha. Unë doja të fitoja tituj, të luftoja për Championsin, por presidenti nisi të krijonte një imazh negativ për mua. Nuk ishte e lehtë për mua që të lija këtë klub, aq më tepër familja ime donte që ne të qendronim në Barcelonë, por me të vërtetë ndjeva se ishte koha për të ikur”.

Babai i tij, Horge mbërriti në Spanjë për të diskutuar largimin, por i biri e ndaloi. Mesi pohoi se nuk deshi të shkonte në gjyq, me Barcelonën, edhe pse avokatët e kishin siguruar se do ta kishte fituar atë gjyq. Kapiteni theksoi se nuk dëshironte të largohej nga klubi në atë mënyrë. Superyllit 33-vjeçar i ka mbetur si gozhdë largimi i Luis Suarezit nga trajneri Ronald Kuman dhe klubi.

“Largimi i Suarezit nuk pati të bënte me vendimin tim, – vazhdoi Mesi, – por, unë gjykova se ishte një çmenduri mënyra sesi ai u largua dhe që Barcelona lejoi që të shkonte në një rival direkt. Ishte një çmenduri. Ai u bashkua me një ekip që lufton për të njëjtat objektiva si ne”. Pavarësisht gjithçkaje, kapiteni thotë se e ka mbledhur mendjen për të luftuar deri në fund për të fituar tituj me katalanasit, ndërsa fitorja në zgjedhjet presidenciale e Zhoan Laportës mund ta bindë që ta mbyllë karrierën në “Kamp Nou”.

Sfidanti.al