Klop e fton Salahun të mos bëhet një tjetër Kutinjo: Rri në Liverpul!

“Nuk mbajmë lojtarë me zor, por i duam fort”. Trajneri i të kuqve, kampionë të Anglisë, është i sigurt dhe i qetë kur flet, ndërsa shprehet paksa i habitur që Mohamed Salah edhe mund të largohet. “Ne jemi një nga klubet më të mëdhenj të botës, ne paguajmë mirë, ndoshta jo më shumë se të gjithë, por mirë, ne po fitojmë dhe ngjyra jonë është e kuqja, më e bukura e ngjyrave, – është “poezia” e gjermanit, – Përse të ikësh tani? E vetmja arsye për të ikur tani nga Liverpuli është shiu”.

Jurgen Klopi nuk e thotë, por mund të lexohet mes rreshtave që ai e fton Salahun të mos kthehet në një Kutinjo të dytë duke shkuar tek Barcelona apo Reali i Madridit. “Ai iu përgjigj një pyetjeje në intervistë, nëse dëshironte të shkonte atje, – tha Klopi, – dhe ai nuk mund të thoshte se nuk i pëlqente. Kjo nuk përbën asnjë problem. Është thjesht momenti nëse duhet ikur apo jo”. Trajneri pranoi se Salah u mërzit që nuk iu dha shiriti i kapitenit në ndeshjen ndaj Mitjulandit në Champions, ndërsa atë e mori Aleksandër-Arnold. Klopi foli me Salahun dhe ndoshta shiritin do ta ketë një herë tjetër.

Sfidanti.al