Ishte katastrofa më e madhe vitet e fundit, por trajneri i Lids Junajtidit nuk ka ndërmend ta ulë kokën. Pas disfatës 2-6 në Premier Ligë ndaj Mançester Junajtidit, Marselo Bielsa iu lëshua gazetarëve dhe analistëve, duke u thënë se ata janë shumë sipërfaqësorë. “Ne vërtet humbëm 2-6, – tha ai, – por, ju shikoni vetëm rezultatin. Ne krijuam më shumë raste sesa Junajtidi, por nuk ishim të saktë para portës. Nëse e shikoni nga ana fizike, Junajtidi luajti ndeshjen e tij më të mirë të sezonit, por ne ishim më lart se ata. Ne ishim superiorë në zotërim topi, e cila në rezultat nuk vlen, por ka një vlerë nëse e merr në kontekstin e lojës. Nuk pati dominim të qartë të lojës nga Mançester Junajtidi”. Bielsa foli për 41 minuta, duke shtuar se nuk ka ndërmend ta ndryshojë stilin sulmues të lojës, pasi kjo do ta dobësonte skuadrën.
Sfidanti.al