Ky emër nuk është aspak i ri për tifozët në Bergamo, por për muaj të tërë sikur e kishin harruar. Josip Iliçiç ka qenë një nga udhëheqësit e Atalantës në dy sezonet e fundit, dhe duket se e ka kaluar plotësisht krizën e thellë ekzistenciale të pësuar për shkak të sëmundjes me koronavirus. Sulmuesi slloven ndihmoi në fitoren e madhe 4-1 ndaj Romës, që tregon se skuadra e trajnerit Gasperini është aq e fortë saqë të turpërojë apo të lodhë edhe më të fortët. Mjafton të kujtoni 1-1 në fushën e Juventusit dhe 2-0 në fushën e Liverpulit.
Gasperini tha pas ndeshjes së Serisë A që “mjaft u morëm me Gomezin, është Iliçiçi që na bën të kryejmë hopin cilësor”. Pikërisht Iliçiç është kthyer në kohën e duhur, pasi ish-kapiteni Papu Gomez është përplasur me trajnerin dhe do të largohet. Një krizë që për fat nuk ndikoi shumë, të paktën deri tani. Atalanta pati forcë reagimi pasi ishte në humbje 0-1 deri në 60’, por i mjaftuan vetëm 30 minuta për 4 gola. Zapata, Gosens, Muriel dhe Iliçiç ishin autorët. Bergamaskët e kanë më të lehtë tani që ngarkesa e Championsit përfundoi, ndërsa nga kartoni i Gomezit shpresojnë të marrin 10 milionë euro.
Sfidanti.al