Klop fiton çmimin e BBC-së dhe provokon: Më e ëmbël kur e merr në Mançester!

Batuta ndoshta nuk është aq e “pacipë” sa e dy personaliteteve të tjerë përpara tij, por mund ta fitojë po aq mirë një çmim sa edhe ai që e nxorri nga goja. Jurgen Klop u shpall Trajneri i Vitit në Angli nga BBC-ja, mori trofeun në një sallë në Mançester, dhe deklaroi: “Jam shumë i lumtur, dhe kjo është më e ëmbël kur e fiton në Mançester”. Vetë Klopi mund të ketë pasur parasysh më shumë Mançester Sitin, rivalin e këtyre viteve të tij në Angli, por tifozët e Liverpulit padyshim që mendojnë më shumë për Mançester Junajtidin, kundërshtarin historik që ende ka rekordin e titujve kampion, 20, ndaj 19 të të kuqve.

Dikur, Sër Aleks Fergusoni thoshte në vitet 80-të se “erdha tek Mançester Junajtidi për të zbritur nga maja atë Liverpul të mallkuar”. Skocezi i madh ia doli, por me Klopin hierarkia ka ndryshuar. Një tjetër batutë mbahet mend në vitet 60-të, kur ish-trajneri i Liverpulit, Bill Shenkli, u pyet nga një futbollist: “Si më këshillon, a të shkoj tek Evertoni?” “Po, – i tha Shenkli, – kështu të paktën do të kesh mundësi të jesh pranë një skuadre të madhe si Liverpuli”. Vetë Liverpuli, ky i Klopit, fitoi çmimin si skuadra më e mirë e vitit në Angli.

Sfidanti.al