Dikur bëhej fjalë për një skuadër të fortë që në vitet 90-të arriti të fitonte edhe Kupën UEFA, duke mundur në finale Interin e fuqishëm të Milanos. Shalke e Gelsenkirshenit mund të ketë një nga stadiumet më të mrekullueshëm në Gjermani, dhe një nga tifozeritë më të jashtëzakonshme në Europë, por kjo periudhë e fundit është kthyer në një makth. Skuadra e tifozëve punëtorë e ka humbur rrugën dhe në 26 ndeshjet e fundit nuk njeh fitore. Fillimisht, klubi largoi David Vagnerin që pati 16 ndeshje pa sukses, gjë që ndodhi pas javës së dytë të Bundesligës së këtij sezoni. Tashmë u largua edhe Manuel Baum pas 10 ndeshjeve nga të cilat humbi 6 e barazoi 4. Anëtari i bordit, i shquari Hub Stevens ka marrë rolin e trajnerit kujdestar të paktën për këto ndeshje. Shalke është në “rënie të lirë” në kampionat me vetëm 4 pikë, dhe me golaverazhin shumë të keq 8-35, duke qenë ekipi me më pak gola të shënuar (baraz me Bilefeldin) dhe me më shumë gola të pësuar.
Sfidanti.al