Duket se është pak si shumë delikat për një kampionat kaq të ashpër si ai anglez. Kai Haverc duket si një zbukurim prej kristali në një arenë gladiatorësh, dhe ende nuk po arrin të përshtatet në Premier Ligë, me Çelsin që vazhdon ta presë, dhe me mediat që kanë nisur kritikat. Humbja e Bluve të Londrës me Evertonin e ngriti edhe më shumë zërin e kritikëve, të cilët po thonë se 80 milionë eurot e shpenzuara për të (që besohet se do të shkojnë mbi 100 milionë) ishin investim i kotë.
Trajneri Frenk Lampard i del në krah yllit të tij 21-vjeçar që shkëlqeu sa ishte tek Leverkuseni në Bundesligë. “Haverci është ende shumë i ri dhe ka ardhur në një kampionat shumë të shpejtë, – thotë tekniku blu, – i duhet kohë për t’u përshtatur. Unë e di se çfarë lojtari do të bëhet ai. Ka një talent shumë të madh”. Sa për të bërë një krahasim të gati 40 viteve më parë, kur Mishel Platini kaloi nga Sent Etieni tek Juventusi në 1982. Ylli i Francës së Botërorit spanjoll e pati të vështirë sezonin 1982-1983, dhe titullin e fitoi Roma, ndërsa pyetjet e gazetarëve italianë ishin: “Përse Platini nuk jep pasimet e sakta për Bonjekun që të shënojë golat?” Kjo ndodhi në sezonet në vazhdim.
Sfidanti.al